Limaj: Kosova i ka pėrmbushur tė gjitha kėrkesat pėr tė kaluar nė fazėn e dytė tė implementimit tė marrėveshjės sė ECAA-sė


2010-02-22

Sot, zyra ndërlidhëse e Komisionit Evropian në Kosovë, zyrtarisht filloi përkrahjen e saj për Autoritetin e Aviacionit Civil të Kosovës, për të zbatuar marrveshjen e Zonës së përbashkët Evropiane të Aviacionit (ECAA). Marrëveshja e ECAA-së, kërkon që partnerët e Ballkanit Përendimor të integrohen, t'a zbatojnë gradualisht legjistlacionin e Aviacionit të Komunitetit Evropian dhe të integrohen plotësisht në tregun e aviacionit të brendshëm të komunitetit evropian.

 

Në ceremoninë e binjakëzimit të Autoritetit të Aviacionit Civil të Kosovës dhe Drejtorinë e Përgjithshme për Aviacionin Civil të Francës, ishte i pranishëm edhe ministri i Transportit dhe Postë-Telekomunikacionit, Fatmir Limaj, drejtori i Autoritetit të Aviacionit Civil, Driton Gjonbalaj, ambasadori i Francës në Kosovë, Jean-François Fitou dhe  zëvendësdrejtori i Drejtorisë Gjenerale të Aviacionit Civil të Francës, Ministria e Ekologjisë, Energjisë, Zhvillimit të Qëndrueshëm dhe Detit, si dhe përfaqësuesi në zyrën Ndërlidhëse të Komisionit Evropian, Kjartan Bjorsson. 

 

Me këtë rast ministri Limaj tha:'' Republika e Kosovës ka marrë mbi vete të gjitha detyrimet ndërkombëtare, duke përfshirë edhe ato të nënshkruara nga UNMIK-u, këtu përfshihet edhe marrëveshja mbi hapsirën e përbashkët Evropiane të Aviacionit apo marrëveshja e ECAA-së. Ne e kemi rishikuar në mënyrë eksplicite edhe në ligjin për Aviacionin civil që aktivitetet e Aviacionit Civil të Republicës së Kosovës, kryhen në përputhje me marrëveshjen e ECAA-së.

 

Ministri Limaj poashtu theksoi :'' Lirisht mund të them, se Republika e Kosovës i ka përmbushur të gjitha kërkesat e ECAA-së për të kaluar në fazën e dytë, të implementimit të marrëveshjës së ECAA-së. Projekti i binjakëzimit është një dhuratë e çmueshme nga  Komisionit Evropian, me këtë rast e falenderoj Komisionin Evropian për angazhimin dhe përpjekjet, investimet dhe ndihmën që është duke e dhënë për Ministrinë e Transportit dhe në sektorë të caktuar dhe në përgjithësi vendit tonë.

 

'' Ndërsa, sa i përket këtij binjakëzimi, vetëm mund të shtoj se Franca është një shtet mik i cili na ka qëndruar, në krah gjatë gjithë këtyre viteve të tranzicionit, por edhe të krenarisë sonë. Kjo është një dëshmi që shteti dhe qeveria Françeze është e interesuar që fuqishëm të ndihmojnë Republikën e re të Kosovës '', tha në fund të fjalës së tij ministri Limaj.

 

Kjartan Bjornsson, shef i operacioneve në Zyrën Ndërlidhëse të Komisionit Evropian, me rastin e arritjës së këtij binjakëzimi, pohoi:'' Ne presim përkushtim të lartë nga të gjithë përfituesit si në nivelin politik ashtu edhe në atë telnik, për të marrë pjesë aktivisht në projekt dhe për të siguruar arritjen e të gjitha rezultateve të parapara. Komisioni po e monitoron me kujdes zbatimin e kësaj marrëveshje dhe poi u kushton vëmendje proceseve lidhur me zhvillimin e tregut të transportit ajror dhe përputhshmërinë me rregullat e ECAA-së ''.

 

Projekti, për binjakëzimin për të përkrahur pjesëmarrjen e  Kosovës në Zonën e përbashkët Evropiane të Aviacionit, do të kushtojë 1 milionë euro dhe do të zgjasë dy vite. Ky projekt do të përkrahë zhvillimin e qëndrueshëm të transportit të Aviacionit Civil në Kosovë duke i përmbushur standardet evropiane në sigurinë e aviacionit, sigurinë e zhvillimit të kornizës së tregut bazuar në parimet e çasjës së lirë dhe konkurrencës së drejtë.