Historiku i  Shërbimit Postar

 

 

Shërbimi postar është një ndër shërbimet më të vjetra publike me prejardhje nga Egjipti rreth 255 vjet para lindjes së Krishtit. Domosdoshmëria e komunikimit në mes njerëzve ka bërë të mundur që të shfrytëzohen mënyra dhe mjete të ndryshme. Këto shërbime nga një sistem në tjetrin kanë arritur gjithnjë duke u përmirësuar.

Reforma e parë në shërbimet postare është bërë nga anglezi Sir Rowand Hill. Në vitin 1840 ai vendosi sistemin e frankimit dhe tarifimin uniformë për të gjitha letrat në territorin e Anglisë, dhe për herë të parë në botë vuri në qarkullim pullën postare që shërbeu për tarifimin e dërgesave postare e cila edhe sot është mënyra më efikase e tarifimit të shërbimeve postare në mbarë botën.

Në vitin 1863 Montgomery Blair, menaxher i përgjithshëm i postave të Amerikës, organizon një konferencë ndërkombëtare në Paris me pjesëmarrjen e 15 vendeve të Evropës dhe Amerikës të cilat miratojnë principin bazë i cili u quajt ,,Marrëveshje postare ndërkombëtare” mbi bazën e të cilave do të bëhej shkëmbimi i dërgesave postare ndërmjet këtyre vendeve.  

Në tetor të vitit 1874 gjermani Henrich von Stephan, funksionar i lartë i postave të Gjermanisë, paraqet projektin e parë të Unionit Postar Botëror që sot është UPU-ja, e cili u miratua me 9 Tetor të vitit 1874 në një konferencë ndërkombëtare nën kujdesin e Qeverisë Zvicerane dhe me pjesëmarrjen e 22 vendeve.

 

                      Data 9 Tetor e çdo viti është shpallur “Dita Botërore e Postës”

 

Në vitin 1878 themelohet Unioni Postar Botëror (Universal Postal Union - UPU ) me seli në Bernë të Zvicrës. Në vitin 1948 Unioni Postar Botëror shndërrohet në një institucion të specializuar të Organizatës së Kombeve të Bashkuara.

Në Republikën e Kosovë shërbimet postare kanë filluan më 15 Mars 2000,  realizimi i të cilave është bërë nën kujdesin e UNMIK-ut, duke u vënë në qarkullim edhe emisioni i parë i pullave postare që shërbeu për afrankimin dhe tarifimin e dërgesave postare.

Më datën 31 Maj 2000 në Kosovë fillon edhe realizimi i shërbimit postar ndërkombëtar sipas dokumentacionit të Unioni Postar Botëror. Në këtë ditë u dërguan mesazhe përshëndetje në më shumë se 42 vende të botës, dhe ajo që ishte me rëndësi të veçantë ishte fakti se këto mesazhe arritën në destinacion brenda tri ditëve duke përfshirë vendet më të largëta të botës.

Fillimisht shërbimet postare ishin të kufizuara, por shumë shpejt ato shërbime filluan të përdoren në mënyrë masive si nga popullata vendore ashtu edhe nga punonjësit e stafit ndërkombëtar të punësuar përkohësisht në Kosovë. Shpejtësia e realizuar në dërgimin e dërgesave postar në të gjithë Kosovën dhe në të gjitha vendet e botës ndikoi pozitivisht në rritjen e numrit të pranimit të dërgesave postare.
Me kalimin e kohës filluan të kërkohen edhe shërbime të tjera kryesisht për pranimin dhe dorëzimin e pakove (kolive), shërbim i cili u realizua në fillim të muajit Tetor 2000, dhe gjithsesi pati rezultate shumë të shpejta dhe efikase.

Kërkesa për futjen e shërbimeve të reja postare brenda dhe jashtë territorit të Kosovës janë në rritje dhe kjo strategji parashikon hapjen dhe zhvillimin e shpejtë të tyre. Shërbimet postare për nga llojshmëria, domosdoshmëria dhe masiviteti i tyre, luajnë një rol të rëndësishëm në zhvillimin ekonomiko shoqërorë të çdo vendi. Shërbimet postare kanë synime të rëndësishme sociale dhe ekonomike në ekonominë moderne të sotme.

 

                             Gjendja e Sektorit Postar në Republikën e Kosovës

 

Gjatë periudhës së funksionimit dhe veprimit të shërbimit postar pa dyshim ky shërbim ka luajtur dhe do të luaj një rol në zhvillimin ekonomik, kulturor dhe social në Kosovë, sepse shërbimi postar është instrumenti kryesor për komunikim dhe tregti.

Pavarësisht nga zhvillimet e shpejta të teknikës, teknologjisë dhe të mjeteve të tjera të komunikimit, kryesisht edhe në vitet e ardhshme, sistemi postar do të vazhdoj të luajë rolin shumë të rëndësishëm në zhvillimin e shoqërisë dhe biznesit.

Në bazë të kushteve dhe kërkesave, që kanë të bëjnë me sigurimin e shërbimeve postare, paraqitet nevoja në vazhdimësinë e reformës në sektorin postar me ndarjen e shërbimeve postare nga ato të telekomunikacionit, transformimin e Ndërmarrjes së PTK-së në shoqëri aksionare me kapital një qind për qind shtetëror ku do të realizohet në një kohë jo të largët.

Kuvendi i Kosovës me datën  09.10.2003 miratoi ligjin nr. 2003/18 “Për Shërbimet Postare në Kosovë”. Ky ligj rregullon ofrimin e veprimtarive postare, kushtet e kryerjes së shërbimeve postare, rolin e Qeverisë në sektorin postar, si dhe të drejtat dhe detyrat përkatëse të operatorëve dhe shfrytëzuesve të shërbimeve postare. Në bazë të këtij Ligji, i cili është i harmonizuar me Direktivat e Bashkimit Evropian, Qeveria, nëpërmjet Ministrit në vartësi të të cilit është Departamenti i Postës (DP), përcakton Politikën dhe Strategjinë e Zhvillimit të sektorit të Postës dhe kryen rregullimin e sektorit postar në Kosovë.

Si operator publik postar në Republikën e Kosovës është “Posta dhe Telekomunikacioni i Kosovës sh.a.” e cila drejton, administron dhe zhvillon rrjetin postar dhe është e detyruar për përmbushjen e shërbimeve universale postare. PTK-Sh.A. siguron një game të gjerë shërbimesh tradicionale postare si postën e letrave, shërbimet për pako - kolipostën, shërbimet të urdhër pagesave, mandej shërbimin e postës së shpejtë EMS, shërbime të biznesit dhe shërbime financiare (transfer të shpejta të parave, arkëtime të faturave telefonike si dhe pagesa të tjera).

Një aktivitet të tillë PTK-Sh.A e zhvillon duke u mbështetur në një rrjet prej 113 zyrave postare dhe një qendre transite postare, nga të cilat 31 gjenden në qytete, 26 në qendra komunale dhe 56 në fshatra. Infrastruktura e zyrave dhe gjeografia e shtrirjes së tyre përbëjnë avantazhin konkurrues të kësaj kompanie në ofrimin e shërbimeve postare si dhe futja e shërbimeve të reja.

Në Republikën e Kosovës përveç PTK-Sh.A. shërbimet postare i ofrojnë edhe kompanitë  me kapital privat, si Salbatring Int. përfaqësues i DHL International, KCC si përfaqësues i TNT, Vlora-Komerc si përfaqësues i  FedEx,  Al. Dushi si përfaqësues i UPS, dhe KOEX si kompani të vetme vendore. Këta operatorë  ofrojnë kryesisht  shërbime ekspres dhe kurriere, ndërsa veprimtaria e tyre shtrihet kryesisht në qytetet kryesore të vendit.


Zhvillimi ekonomik i viteve të fundit si dhe ngritja dhe fuqizimi i bizneseve të vogla dhe të mesme do të jenë premisë për zhvillimin e shërbimeve postare dhe rritjen e interesit të subjekteve të ndryshme për futjen në tregun postar.

Qeveria e Kosovës zhvillimin e sektorit postar e shikon drejt standardeve moderne Evropiane dhe botërore për sigurimin e shërbimeve universale postare dhe zhvillimin e aktiviteteve ekonomike që i shërbejnë forcimit të pozitave financiare të PTK-Sh.A, rritjes së cilësisë së shërbimeve të ofruara me tarifa konkurruese, duke hartuar një dokument për politikat sektoriale dhe implementimin e tij.

 

                                                                 Misioni

 

Qeveria e Kosovës dhe Ministria e Transportit dhe Postë-Telekomunikacionit si mision të tij ka hartimin e politikave strategjike të sektorit postar dhe dokumentet e nevojshme për liberalizimin dhe kontrollin e tregut të shërbimeve postare në Republikën e Kosovës.

MTPT-ja për herë të parë pas krijimit të legjislacionit të nevojshëm, më 15 maj 2006 bëri licencimin e operatorëve postar të cilët kanë ofruar shërbime postare në territorin e Republikës së Kosovës që nga përfundimi i luftës (tabelën e operatorëve të licencuar mund ta gjeni në www.mtpt.org. Ndërsa kontrolli dhe monitorimi i tyre bëhet nga  Divizioni i Postës i cili gjendet në kuadër të MTPT-së.

 

                                                           Vizioni


 
Vizioni i Ministrisë së Transportit dhe Postë-Telekomunikacionit është:
 
ofrimi i shërbimeve postare universale në të tërë territorin e Republikës së Kosovës i cili siguroh-et çdo ditë pune me tarifa dhe në mënyrë të barabarta  për të gjithë shfrytëzuesit pa asnjë dallim.

Ofrimin e  shërbimeve tjera postare dhe shërbimeve financiare-bankare,

Ngritja e cilësisë së realizimit të shërbimeve duke siguruar:

Plotësimin e kërkesave të shfrytëzuesve,
Shpejtësi,
Besueshmëri,
Siguri të bartjes dhe transportit,
Arritshmëri,
Qasje të lehtë etj

Zgjerimi dhe zhvillimi i tregut të shërbimeve postare dhe produkteve tjera,

Organizimi shërbimeve të reja postare në shërbimin e brendshëm dhe atë ndërkombëtar,
Organizimi i kryerjes së shërbimeve financiare të brendshme dhe ndërkombëtare si dhe informatizimi i tyre,
Organizimi i shërbimeve elektronike postare,

Zgjerimi i infrastrukturës së tregut postar duke hapur zyra të reja postare për të arritur në standardet e kërkuara sipas Direktivave të BE-së, ku mesatarisht një zyre postare të shërbejë për 6000 banor në çdo 50 km2  .

Zbatimi i politikave të studiuara në përputhje me Direktivat e BE-së.

Rritja e efektivitetit të shërbimeve universale postare në të gjithë territorin me përparësi shërbimeve më të kërkuara dhe zgjerimi i produkteve të postës sipas kërkesave të shfrytëzuesve.

Nxitja dhe përdorimi i teknologjisë së re në shërbimet postare.

Reformimi dhe ristrukturimi i shërbimeve postare mbështetur në Direktivat e BE dhe rekomandimet e UPU-së.


MTPT-ja deri tani ka nxjerr këto dokumente me rëndësi për sektorin postar:

• Ligji për shërbime postare 2003/18,
• Udhëzimi Administrativ për licencim të operatorëve postar nr. 2005/8,
• Udhëzimi Administrativ për ofrimin e shërbimeve universale postare nr. 2005/4,
• Udhëzimin Administrativ për emetimi, prodhimin vënien dhe heqjen nga qarkullimi i pullave postare nr. 2005/15,
• Marrëveshja mes MTPT-së dhe PTK-SH.A. për ofrimin e shërbimeve universale postare.

Dokumentet në fazën përfundimtare të punuara nga Divizioni i Postës janë:

• Është në përfundim të Ligjit të ri për shërbimet postare në Kosovë, dhe
• Dokumentin e Politikave Strategjike Zhvillimore për shërbimin postarë në Kosovë.

 

 

 

   Kontakt adresa:

ankesa_poste.mtpt@gmail.com